Im Podcast “Arena e Yjeve” pritet një episod i ri, në të cilin është i ftuar Sami Boroci, drejtori sportiv i Prishtinës së Re. Transmetimi do të ndodhë çdo të shtunë në ora 17:10 në RTV Dukagjini dhe në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit.
Në një rrëfim të veçantë dhe plot dinamizëm, Sami Boroci tregon për rrugëtimin e tij të pazakontë në futboll. Nga fillimet si mbrojtës, ai kaloi në mesfushë dhe përfundimisht u bë portier, një pozitë që ai nuk e kishte zgjedhur me dëshirë. Por një ftesë nga Kombëtarja e Kosovës e bëri të qëndrojë mes shtyllave dhe e vulosi karrierën e tij si portier.
Boroci gjithashtu ndalet te momenti i paharruar kur Milot Rashica i shënoi dy gola në ndeshjen e tij të fundit, një ngjarje që ai e përshkruan me humor si “përfundimi i karrierës”.
Në episodin e plotë, ai flet edhe për bashkëlojtarët e tij të njohur si Amir Rrahmani dhe Etrit Berisha, përkushtimin e tyre dhe rrugëtimin e përbashkët në futbollin kosovar.
Një pjesë e veçantë i kushtohet edhe historikut të klubit Prishtina e Re, që nisi si Shkëndija e Hajvalisë dhe më pas u transformua në një projekt ambicioz futbollistik.
Boroci sqaron gjithashtu se ku do të zhvillojë ndeshjet klubi në edicionin e ardhshëm të Superligës dhe adreson pyetjet për mundësitë e ndonjë problemi ligjor rreth emrit të klubit, duke sqaruar se si do të quhen zyrtarisht në garat elitare.
Episodi me Sami Borocin është prodhim i Telegrafit dhe premton të sjellë një tjetër histori të pasur nga prapaskenat e futbollit kosovar.
Ky podcast nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorëve tanë, KGM Kosova dhe Golden Eagle Energy Drink.