OpenAI kërkoi një startup të pajisjeve të Inteligjencës Artificiale nga dizajneri i famshëm i iPhone, Jony Ive, për rreth 6,5 miliardë dollarë.
OpenAI, themeluar nga Sam Altman, njoftoi mërkurën se po blen një startup hardueri të quajtur IO nga Jony Ive, ish-ekzekutiv i Apple, i cili drejtoi dizajnin e iPhone dhe produkteve të tjera ikonike.
Marrëveshja vlerësohet në rreth 6,5 miliardë dollarë, konfirmoi një zëdhënës për Business Insider, përcjell Telegrafi.
Ive dhe firma e tij e dizajnit, LoveFrom, filluan të punonin me Altman dhe OpenAI dy vjet më parë përpara se ai të themelonte startup-in e pajisjeve të Inteligjencës Artificiale një vit më vonë me Scott Cannon, Tang Tan dhe Evans Hankey.
Ive u largua nga Apple në vitin 2019 pas gati 30 vitesh në kompani.
IO është gati të bashkohet me OpenAI për të “punuar më ngushtë me ekipet e kërkimit, inxhinierisë dhe produkteve në San Francisko”, tha një njoftim për shtyp.
Një video e Altman dhe Ive e postuar në mediat sociale të OpenAI thotë se dy gjigantët e teknologjisë po bashkohen për të krijuar një “familje produktesh të Inteligjencës Artificiale”.
Ive, i cili luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e iMac dhe iPhone, ishte më parë drejtori kryesor i dizajnit të Apple dhe një bashkëpunëtor i ngushtë me Steve Jobs, i cili dikur e quante atë “partnerin e tij shpirtëror në Apple”.
Pasi u largua nga puna e tij me kohë të plotë në Apple, Ive lançoi LoveFrom me kolegun e tij dizajner Marc Newson.
Kompania numëronte Apple dhe Airbnb midis klientëve të saj të hershëm. Ive dhe LoveFrom planifikojnë të vazhdojnë të punojnë ngushtë me OpenAI, por të mbeten të pavarur, tha një zëdhënës i kompanisë.
Altman, i cili bashkëthemeloi OpenAI në vitin 2015, ka luajtur një rol kritik në zhvendosjen e OpenAI nga një projekt kërkimor jofitimprurës në një gjigant të IA-së prej 300 miliardë dollarësh që konkurron me kompani të tilla si Apple dhe Google.