Donald Trump, para se të bëhej politikan, ishte një magnat pronash. Ai mendonte se mund ta zgjidhte luftën në Ukrainë me një marrëveshje të tipit të patundshmërisë. Në këmbim të një armëpushimi, Vladimir Putin do të mbante territorin që tashmë kishte pushtuar.
Përpara se Putin të bëhej politikan, ai ishte një agjent i KGB-së që vajtonte për kolapsin e Bashkimit Sovjetik. Ideja e tij për një zgjidhje të drejtë fillon me nënshtrimin e plotë të Ukrainës ndaj mëmëdheut perandorak rus.
Nuk ka asnjë provë që Trumpi të jetë tmerruar ndonjëherë nga kjo ambicie apo nga mizoritë e kryera në ndjekje të saj. Tani ai deklaron se është “shumë i pakënaqur” me presidentin rus, për përshkallëzimin e armiqësive, duke sfiduar përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të përfunduar luftimet. Ajo që e zemëron presidentin amerikan nuk është vrasja, por mosmirënjohja. Trumpi i ofroi Putinit një pjesë të madhe të Ukrainës (edhe pse ai territor nuk ishte i tij për ta dhuruar), dhe gjithçka që donte në këmbim ishte mundësia për t’u mburrur me statusin e tij si paqebërës.
Manifestimi i këtij zemërimi është marrëveshja për ta furnizuar Ukrainën me sisteme jetike mbrojtëse antiraketore, si dhe një kërcënim për vendosjen e tarifave “të ashpra” ndaj Moskës – nëse nuk arrihet një armëpushim brenda 50 ditësh.
Ky afat është i mjaftueshëm që Trumpi të kthehet te zakoni i vjetër i përkëdheljes së Kremlinit. Gjithashtu, afatet e tij janë të njohura për fleksibilitet. Do të ishte e parakohshme të festohej pranimi nga presidenti amerikan se Putini e ka “mashtruar” atë – si një shenjë iluminimi strategjik e aq më pak si një afirmim i solidaritetit me Ukrainën.
Presidenti i cili këtë javë foli për të drejtën e Kievit për vetëmbrojtje, është po ai i cili vetëm pesë muaj më parë përbuzi Volodymyr Zelenskyn si autor të fatkeqësisë së kombit të tij dhe si një mashtrues që e joshi Joe Bidenin për të dhënë burime të çmuara amerikane për një kauzë të humbur ushtarake.
Favoret e mohuara dhe më pas të dhëna, mund të tërhiqen sërish. Kjo është mënyra e Trumpit. Pozicioni aktual mund të jetë i përkohshëm. Kjo nuk do të thotë se i mungon esenca. Ndryshimi thelbësor është se Zelensky dhe aleatët e tij evropianë e kanë bindur Trumpin se ata po e paguajnë faturën e luftës; se pavarësia e Ukrainës nuk është një mashtrim.
Faza e parë për këtë bindje ishte krijimi i një fondi investimi të përbashkëheshëm për shfrytëzimin e mineraleve, naftës dhe gazit në Ukrainën pasluftës. Pjesa prej 50 për qind e Uashingtonit, në këto burime, u paraqit si “shlyerje” për ndihmën ushtarake.
Më pas erdhi angazhimi i anëtarëve të NATO-s për të rritur buxhetet e tyre vjetore të mbrojtjes në pesë për qind të të ardhurave kombëtare – brenda një dekade. Samiti vjetor i aleancës, muajin e kaluar, u organizua pothuajse tërësisht për ta paraqitur këtë premtim si një homazh personal për Trumpin.
Ky është një lehtësim për Ukrainën, por asgjë më shumë. Patriotët ndihmojnë për të mbrojtur qytetet që janë nën bombardim të egër rus, por nuk do të ndryshojnë ndjeshëm ekuilibrin e forcave në fushëbetejën e gjerë. Kremlini vazhdon të përparojë ngadalë, duke paguar një çmim të tmerrshëm në jetë njerëzish.
Forcat ukrainase vazhdojnë të mbrohen në mënyrë heroike dhe ndonjëherë arrijnë kundërsulme spektakolare, por guximi nuk mund të përballojë pafundësisht peshën e një popullsie më të madhe.
Plani i Putinit është më shumë aritmetik sesa strategjik. Ai synon të dërgojë vazhdimisht ushtarë në atë që rusët e quajnë “mish për top”, derisa të mos mbetet më asnjë ukrainas me forcë ose armë për të luftuar. Prandaj, fronti ekonomik – sidomos sanksionet që synojnë aftësinë e Moskës për të gjeneruar të ardhura nga eksportet e naftës dhe gazit – është kaq jetik.
Dhe, kjo është arsyeja pse gatishmëria e Trumpit për ta përforcuar këtë përpjekje, nëse është e sinqertë, do të kishte rëndësi të vërtetë. Putini mund të mendojë me arsye se bëhet fjalë për një blof, ose për një tekë kalimtare. Por, është gjithashtu e mundur që presidenti rus ta ketë tepruar me lëvizjet e veta.
Ai ka më pak kontroll mbi ngjarjet sesa besojnë adhuruesit më të mëdhenj apo kritikët më të shqetësuar. Propaganda e Kremlinit kultivon mitin e liderit të madh dhe vizionar që ecën përmes historisë. Kjo figurë shpesh shihet nga jashtë si hija e një mjeshtri të gjithëfuqishëm të marionetave që tërheq fijet për të rrëzuar demokracitë perëndimore.
E vërteta është ende ogurzezë, por më shumë është banale. Putini është “kreu i krerëve” në një kleptokraci gangsterësh ku shërbimet sekrete janë klani më i fuqishëm. Ideologjinë ultranacionaliste dhe kultin e personalitetit rreth presidentit, e gjejmë të ngulitur në të gjithë diskursin publik si një provë besnikërie.
Nuk dihet se kush beson me të vërtetë në këtë narrativë, kur dënimet për fjalën e gabuar janë të rënda. Ekonomia është përqendruar plotësisht në luftë – nga industritë që prodhojnë municione deri te shpërblimet për vullnetarët dhe kompensimet për familjet e ushtarëve të rënë me çka mbështeten rajonet e