Europa bëhet e gatshme për të kontribuuar në paqen në Ukrainë
Deri tani, samiti i krerëve evropianë në Uashington nuk ka prodhuar rezultate të domethënës për të përmirësuar marrëdhëniet transatlantike. Megjithatë, evropianët janë të gatshëm të ofrojnë kontributin e tyre për të siguruar paqen në Ukrainë.
Një element i rëndësishëm i garancive të sigurisë në të ardhmen mund të jetë “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, një grup i vendeve evropiane dhe të tjera që janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për Ukrainën. Kjo koalicion u krijua disa muaj më parë nga Franca dhe Britania e Madhe dhe tani ka rreth 30 anëtarë.
Gatishmëria e SHBA-së për të marrë pjesë në garancitë e sigurisë për Ukrainën konsiderohet përparimi i ditëve të fundit. Flitet për premtime mbrojtjeje të ngjashme me ato në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, ku shkruhet mbi detyrimin për të ofruar ndihmë nëse sulmohet një nga aleatët.
Një çështje e ndjeshme këtu janë “trupat në terren”, pra a duhet të ketë trupa tokësore evropiane në Ukrainë. Ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar qëllimin e tij për të dërguar trupa në Ukrainë, qeveria gjermane ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar për këtë çështje.
Rusia kundërshton vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë. Ish-ambasadori amerikan Gardner kritikoi faktin se, ndonëse është folur shumë për këtë çështje duket sikur do të bëhet fjalë në fund për shumë më pak. Edhe pas shumë muajsh, është ende e paqartë se për çfarë është e gatshme të kontribuojë Evropa.
Në një intervistë me televizionin amerikan Fox News, Donald Trump i bëri të qarta pritjet e tij nga Evropa: Ai pret që Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe të dërgojnë trupa tokësore. SHBA-të janë të përgatitura të ofrojnë mbështetje, për shembull, nga ajri. Çështja e trupave tokësore mund të jetë, pra, testi i radhës për marrëdhëniet transatlantike.