Inspektor i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mori pjesë në konferencën kombëtare “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratëve”, ku foli për nevojën e pavarësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve për një terren transparent të pushtetit gjyqësor.
Gjatë fjalës së tij, Metani foli për ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta në pushtetin gjyqësor, të cilat duhet të eliminohen. Për këtë arsye, Inspektori i ILD tha se pavarësia e magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës efektiv.
Pavarësia formale ligjore e magjistratëve kërkon garanci institucionale, por duhet të shoqërohet me një standard të lartë integriteti dhe profesionalizimi të vetë magjistratëve, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë në fjalën e vet.
“Në praktikën shqiptare ky parim është vënë shpesh në provë. Magjistratët janë ekspozuar jo rrallë herë ndaj ndërhyrjeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta, të cilat janë manifestuar nëpërmjet intimidimeve personale, presioneve mediatike, diskurseve të polarizuara politike, përdorimit të retorikës politike për të ndikuar perceptimin dhe vendimmarrjen gjyqësore, konfliktit të interesit, apo vendimmarrjeve të centralizuara administrative, të mbështetura jo gjithmonë në kritere apo procedura të qarta ligjore. Adresimi i kësaj problematike kërkon ndërtimin e një kulture institucionale të mbrojtjes së pavarësisë së magjistratëve, ngritjen e mekanizmave mbikëqyrës dhe llogaridhënës të pavarur, si dhe vendosjen e standardeve të qarta mbi deontologjinë politike, në raport me marrëdhëniet e saj me pushtetin gjyqësor….Rrjedhoja më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së magjistratëve është mos përgjegjësia për vendimet që japin, sipas bindjes së tyre mbështetur në ligj. Në gjykimin e një çështjeje, ata marrin vendime mbështetur në ligj dhe sipas bindjes së tyre të brendshme. Por pavarësia funksionale dhe personale nuk nënkupton imunitetin apo mungesën e kontrollit. Prandaj, pasoja e pushtetit dhe besimi që shoqëria i jep magjistratëve është i tillë, që duhet të ketë disa mënyra për t’i mbajtur përgjegjës. Çdo përpjekje për të mbrojtur pavarësinë e pushtetit gjyqësor nuk është legjitime, nëse nuk shoqërohet me reagim mbi formën, thelbin dhe kufijtë e ushtrimit të sistemit llogaridhënës të magjistratëve, pasi pa rregulla të qarta për kontrollin e pushtetit gjyqësor, rrezikojmë t’i shndërrojmë magjistratët në një sovran të heshtur. Pra rritja e kompetencës dhe pavarësisë së magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës efektiv.”
Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha zoti Metani përfaqëson mekanizmin themelor, që lidh pavarësinë e magjistratit me sistemin llogaridhënës dhe përgjegjësinë publike të tyre.
“Sfida më e madhe sot e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është të ruajë pavarësinë e tij institucionale, si dhe të jetë një kontribuues i rëndësishëm në garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në një mjedis ku ndikimi apo ndërhyrjet e drejtpërdrejta ose të tërthorta ndaj pushtetit gjyqësor nuk janë të panjohura. Për të mos u shndërruar në një mjet presioni ndaj magjistratëve dhe pushtetit gjyqësor, ILD po përpiqet të zbatojë standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, të sigurojë transparencë në procedurat e zhvilluara nga ana e tij, si dhe të dëshmojë integritet në çdo vendimmarrje. Këtë mekanizëm llogaridhënës, ILD po përpiqet të konceptojë dhe të aplikojë në mënyrë institucionale, të drejtë dhe të qëndrueshme, si forma më e lartë e përgjegjshmërisë publike të magjistratëve. Roli i ILD-së nuk duhet parë thjesht në dimensionin ndëshkues disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues, në funksion të krijimit të një kulture të lartë etike dhe profesionale në pushtetin gjyqësor. Në këtë mënyrë, ky institucion po angazhohet të shndërrohet në një mbështetës të vërtetë të parimeve të shtetit të së drejtës, duke ruajtur ekuilibrin e ndjeshëm mes llogaridhënies dhe pavarësisë të pushtetit gjyqësor.”
Duke e parë pavarësinë dhe llogaridhënien si një dualitet organik, që ndihmon në konsolidimin e shtetit të së drejtës, zoti Metani vërejti se duhet reflektuar për ndërtimin e një drejtësie që t’i garantojë të dyja, ndërsa dhënia e drejtësisë duhet të jetë një shërbim publik.
“Sot më shumë se kurrë, drejtësia në Shqipëri ka nevojë për magjistratë dhe profesionistë me integritet të lartë moral, të ndërgjegjshëm për rolin e tyre kushtetues dhe të përkushtuar ndaj drejtësisë, si një shërbim publik, duke i ruajtur të pastra interesat e saj. Ka nevojë për magjistratë që besojnë realisht, jo vetëm në vlerat shoqërore, por edhe në misionin e tyre personal për të shërbyer në sistemin e drejtësisë. E lidhur natyrshëm kjo edhe me forcimin e mëtejshëm të përgjegjshmërisë dhe të përgjegjësisë. Të gjithë ne, si pjesëtarë të sistemit të drejtësisë, kemi detyrën që përmes praktikës sonë, sjelljes institucionale dhe kulturës profesionale, të dëshmojmë se pavarësia nuk është privilegj personal i magjistratëve, por një mjet në shërbim të qytetarit dhe se llogaridhënia nuk është kufizim apo cenim i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por një mekan