Polizist Alban Rashiti, deri tani ende në spital për shkak të plagëve të mëdha, ka dhënë dëshminë për ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Rashiti tha se ai dhe kolegët e tij kishin filluar punën në orën 08:00 të mëngjesit të 23 shtatorit dhe se ndërrimi me pjesëtarët tjerë ishte bërë në fshatin Izvor mbi Banjskë. “Kemi qëndruar aty deri në ora 14:00, gjithçka ka qenë në rregull. Pastaj, është bërë ndërrimi nga kolegët dhe kemi shku në bazën në Kushllovë të Vllahisë, deri në ora 20:00 kemi qëndruar në gjendje gatishmërie”, tha Rashiti.
Sipas tij, informatën e parë e kishin marrë për një veturë të dyshimtë, një orë pasi ishte bërë ndërrimi, pra në orën 21:00. Informacioni u kishte ardhë nga dhoma komanduese, ku u ishte thënë se në rrugën e Izvorit është një veturë e parkuar në një livadh.
Rashiti tha se vetura në fjalë ishte e tipit “Jeep” dhe se kolegët e njësisë kufitare e kishin bërë identifikimin e targave. Tha se nga dhoma komanduese u ishte konfirmuar se për atë veturë nuk ka të dhëna në sistem.
Më pas, Rashiti tha se nga kolegët e vijës së gjelbër u është thënë se vetura është e njohur për ta dhe se pronari nuk ka asgjë të dyshimtë. Por, pronari që jetonte aty afër, e kishte lënë veturën në atë vend dhe kishte shkuar në shtëpi.
“Ne i kemi bartë këto informata dhe jemi larguar pasi nuk kemi pa diçka të dyshimtë”, tha Rashiti.
Dëshmitari tha se më pas më 24 shtator 2023 ishte bërë ndërrimi i stafit që patrullonin në atë pjesë. Pas kësaj, tha se bashkë me kolegët Çlirim Shaqiri dhe Mirsad Kryeziu, kanë vazhduar nga Izvori për të kaluar në Banjskë e më pas për të dalë në rrugën kryesore dhe për të shkuar në bazë.
Rashiti tha se me të arritur te ura, në anën e djathtë e cila të dërgon në fshatin Banjskë, kanë vërejtur dy kamionë me peshë të rëndë, të cilët kishin barrikaduar urën. Pra, ishin të parkuar mbi urë paralel.
Sipas tij, aty kanë shikuar nëse ka diçka të dyshimtë, por që nuk kanë parë persona duke lëvizur. Tha se e kishin lajmëruar dhomën komanduese, mirëpo për shkak të problemeve nuk kishte kaluar lidhja.
“Ne e kemi parë të arsyeshme me lëvizë nga ai lokacion në tjetrin, që me informu dhomën se çfarë ka ndodh dhe me pa nëse ka ndonjë pengesë tjetër apo barrikadë”, tha Rashiti.
Pasi kishin dhënë informatën, polici thotë se u ishte kërkuar që të kthehen në vendngjarje dhe një foto si dëshmi për të parë se çfarë po ndodhte.
“Jemi kthyer në hyrje të fshatit, veturën e kam parkuar 30 metra larg kamionëve. Aty na është thënë se dy njësi janë dërguar në drejtim tuaj për asistencë që nuk kanë qenë totnat, por të Zveçanit”, tha Rashiti.
Sipas tij, me të dalë nga vetura me kolegët, janë dakorduar që Çlirimi të rri pranë veturës, ndërsa ai dhe Mirsadi u afruan pranë kamionëve për të parë se a ka diçka të dyshimtë.
Ai tha se 20 minutna kanë bërë patrullim aty dhe se nuk ka pasur diçka të dyshimtë. Aty tha se kishin arritur edhe dy vetura policore.
“Kanë qenë gjashtë policë, ku ndër ta ka qenë edhe rreshteri i ndjerë Afrim Bunjaku. Mirsadi ka komuniku me policët dhe rreshterin. Më pas ata vazhduan në drejtim të kamionëve me shiku për së afërmi se mos po ka diçka me na dhanë një sqarim se çka po ndodh aty”, tha Rashiti.
Ai shtoi se i kujtohet që rreshteri Bunjaku kishte shkuar aty dhe ishin përshëndetur, ku ishin konsultuar që të shpërndahen për të qenë në gjendje gatishmërie, pasi mund të ketë diçka me rrezikshmëri për ta.
“Gjendja në fshat ka qenë pothuajse absolute pa asnjë lëvizje dhe që nuk është e zakonshme. Momenti që ka ardhë rreshteri Afrim siç e përshkruva në ato qaste, jam largu 3-4 metra nga e majta, ka ndodh një shpërthim i papritur dhe e kam kuptu që jam plagos në krahun e majtë. Ka qenë shpërthim shumë i madh, pothuajse në mesin tonë nuk e kemi ditë nga ka ardhë, por e di që kur e kam kthy kokën kam pa tym të zi dhe zjarr dhe e kam pa që jam goditur me armë”, tha Rashiti.
Ai deklaroi se ishte munduar të kthehet në gjendje gatishmërie dhe se përsëri kishte ndodhur një shpërthim.
“Saqë rryma e ajrit më ka goditë përtoke qaq i madh ka qenë shpërthimi. Në momente sekondash ka fillua gjuajtje me armë zjarri. Kur kanë fillu gjuajtjet kemi kuptu që ka gjuajtje nga i tërë fshati me 10 pozicione, ka pas gjuajtje me armë apo kalibra të ndryshëm”, u shpreh Rashiti.
Polici tha se kishin filluar t’iu kundërpërgjigjen gjuajtjeve, më pas e kanë lokalizuar se nga po vinin ato gjuajtje.
“Por, kur e ktheva kokën e pash që rreshteri mbeti i shtrirë në tokë me shpinë, i gjakosur, i palëvizshëm. Me Mirsadin kërkuam nga Çlirimi që ta sjellë veturën aty dhe ta tërheqim rreshterin nga vendi sepse në atë vend kishte gjuajtje tërë kohës”, tha Rashiti.
I njëjti theksoi se pasi u nis drejt tyre Çlirimi, kishin filluar gjuajtjet nga anë të ndryshme, duke e bërë veturën të palëvizshme, ku panë që nga motori po rridhte vaji dhe uji i motorit.
Më pas, tha se polici Mirsad i kishte kërkuar të gjuante dritat për