Panele diellore: një zgjidhje për faturat të larta të energjisë
Në Kosovë, shumë familje po bëhen të përkushtuar për panele diellore, të cilat ofrojnë një mënyrë të qëndrueshme për të ulur faturat e energjisë dhe të pavarësohet nga rrjeti. Rritja e çmimeve të energjisë dhe skemat e subvencionimit të shtetit kanë nxitur interesimin për këtë formë të prodhimit të energjisë.
Familja Rashiti, për shembull, nuk mendon më për faturat mujore të energjisë elektrike. Në shtëpinë e tyre prej 320 metrash katrorë në periferi të Lipjanit, ku jetojnë shtatë anëtarë, të gjitha pajisjet elektrike funksionojnë me energji diellore. Kjo është e mundur falë paneleve me kapacitet prej shtatë kilovatësh, të vendosura në çati.
“Prej mëngjesit e deri në mbrëmje, ne nuk marrim asnjë kilovat nga rrjeti”, thotë kryefamiljari Hajriz Rashiti për Radion Evropa e Lirë. Ai tregon se sistemin e ka instaluar në fillim të këtij viti dhe se përvoja e tij si arsimtar i Teknologjisë së Informacionit dhe rritja e çmimeve të energjisë e kanë bindur për të investuar në këtë teknologji.
Sot, rezultatet flasin vetë, thotë Rashiti. Nga rreth 70 euro që paguante për energji në maj të vitit të kaluar, këtë maj ka paguar vetëm 3 euro e 7 centë. “Tri euro e 7 centë nuk janë ndonjë shumë e madhe – si të dalësh në qytet dhe t’i pish dy kafe me një shok”, thotë pensionisti.
Subvencionet për familje kanë qenë nga 250 deri në 1.750 euro, ndërsa për biznese nga 200 deri në 6.000 euro, varësisht nga kapaciteti i instaluar. Autoritetet dhe përfaqësuesit e kompanive që merren me instalimin e sistemeve diellore thonë se këtë vit është rritur ndjeshëm interesimi i konsumatorëve familjarë për të investuar në pajisje për vetëkonsum të energjisë.
Ermal Kelmendi, koordinator në kompaninë “Unisolar” që merret me projektimin dhe instalimin e paneleve diellore, thotë se subvencionet e vitit të kaluar nga Qeveria, kanë nxitur shumë familje të ndërmarrin këtë hap. “Interesimi është shumë i madh, pasi që instalimi i këtyre paneleve ul faturat e energjisë nga 60 deri në 70 për qind”, thotë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova synon të rrisë pjesëmarrjen e energjisë së ripërtërishme në totalin e prodhimit. Objektiv i saj është që, deri në vitin 2031, 35 për qind e energjisë të vijë nga burime të ripërtërishme. Aktualisht, rreth 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, ndërsa vetëm 10 për qind nga burimet e ripërtërishme.
Rashiti nga Lipjani i inkurajon edhe familjet e tjera që të investojnë në panele diellore, ndërsa nga shteti kërkon që të vazhdojë me skemat mbështetëse. “Investimi kthehet për 10 vjet, e për 30 vjet ke rrymë falas… pasi sistemi ka garanci dhe mirëmbajtje nga kompania”, përfundon ai.