Nga Eduard Halimi dhe Nikolin Muçaj
Analizë ligjore rreth Vendimit të Landgericht Berlin më 19 Dhjetor 2024 dhe 5 vendimeve gjyqësore në 2025 nga Gjykatat më të Larta Gjermane
Publikimi i vendimit të Gjykatës Rajonale së Berlinit (niveli i parë), të 19 dhjetorit 2024, ku të dhënat nga EncroChat u shpallën të papranueshme si prova, shkaktoi valë reagimesh në media dhe opinionin publik shqiptar, duke u paraqitur si një “fitore” për të drejtat e njeriut dhe një sinjal për kthesë në jurisprudencën evropiane. Megjithatë, përtej një gëzimi të pajustifikuar, realiteti ligjor është dukshëm më kompleks dhe shumë larg nga një ndryshim i konsoliduar kursi i betejës mes prokurorisë dhe krimit të organizuar pas operacionit fantastik “Vanilla”.
Fati në pritje i dhjetra dosjeve më të mëdha në historinë e drejtësisë shqiptare mes SPAK dhe organizatave më të fuqishme kriminale dhe evidentimit të kontratës vrastare të politikës me krimin në Shqipëri: ti më ndihmo të fitoj zgjedhjet unë të shpall investitor strategjik, te jap prona, pasuri, te shkel syrin madje i mbyll te dy kur kalon drogë dhe para të krimit, varet jo pak nga këto ecuri dhe vlerësimin e provave të enkriptuara si SkyEcc, EncroChat, Telegram etj. E kemi ndjekur me një kurreshtje pasionante profesionale ecurinë e këtij operacioni prej fillimit, nxitur nga asnjë ndikim apo shtytje përveç interesit publik duke vlerësuar sa avokatët në punën e tyre aq dhe prokurorët në një betejë të fuqishëm dhe vendimin e guximshëm të Gjykatës Kushtetuese në janar 2025.
Dhe vetëm në vijim të i interesit publik dhe atij të medias po publikojmë këtë analizë ligjore për lexuesin kureshtar duke hedhur dritë mbi betejën në Gjermani dhe impaktin në Shqipëri! Çfarë vendosi Gjykata e Landgericht Berlin më 19 Dhjetor 2024? Është e vërtetë ajo që publikuan me vonesë avokatët e nderuar të çështjes në Gjkatën Kushtetuese, se Gjykata e Landgericht Berlin, në çështjen nr. 525 KLs 8/22, vendosi që provat nga EncroChat nuk ishin të pranueshme, duke theksuar se çështja atje bazohej VETËM në provat e enkriptuara (pa i lidhur ato nga prokuroria me prova e fakte të tjera) dhe mungesën e transparencës në bashkëpunimin ndërkombëtar, mungesën e dokumentacionit të plotë në dosje dhe mosqasjen e plotë të mbrojtjes në aktet e hetimit. (Nuk e dijmë nëse SPAK ka bërë të njëjtën gjë dhe në Shqipëri) Gjyqtarja Kristin Klimke, Kryetare (Vorsitzende Richterin) e Dhomës Penale 25 (Strafkammer 25) në Landgericht Berlin, kryesuese e trupit gjykues në vendimin e 19 dhjetorit 2024, vuri në dukje përdorimin e teknologjisë komplekse (spyware në mijëra pajisje) dhe mungesën e ekspertizës për vlerësimin teknik, duke theksuar rëndësinë e garantimit të barazisë së armëve dhe të drejtës për mbrojtje.
E vërteta që ndoshta fshihet në Shqipëri ose nuk tregohet është se ky vendim jo vetëm që është i nivelit të parë gjyqësor, por ai është ankimuar nga prokuroria gjermane dhe është në pritje të shqyrtimit në Kammergericht Berlin (Higher Regional Court, Berlin). Si një vendim i përkohëshëm dhe jo përfundimtar e vështirë që përdoret në këtë moment nga gjykatat në Shqipëri, ndaj gëzimi i subjekteve apo politikanëve dhe zyrtarëve në Shqipëri të tipit El Chapo të përfshirë në dosjet e SkyEcc ende është i pajustifikuar. Për të analizuar ecurinë e këtij vendimi le të shohim se çfarë thonë gjykatat e tjera gjermane, të niveleve të tjera përtej efektit “kam rënë edhe unë nga fiku”?
Për të kuptuar realisht qëndrimin e jurisprudencës gjermane në lidhje me përdorimin e provave të përftuara nga platformat e komunikimit të enkriptuar si EncroChat dhe Sky ECC, është e domosdoshme një vështrim gjithëpërfshirës mbi vendimet e tjera gjyqësore, si ato që paraprinë vendimin e dhjetorit 2024, ashtu edhe ato që pasuan. Vetëm përmes një analize të plotë të kontekstit ligjor dhe të praktikës gjyqësore në tërësi mund të vlerësohet nëse kemi të bëjmë me një rast të izoluar apo me një ndryshim të mundshëm në kursin e betejës mes prokurorisë dhe krimit të organizuar!
I. Vendimet përpara Dhjetorit 2024
Në jurisprudencën aktuale gjermane dallohen tre vendime me rëndësi të veçantë, të dhëna nga gjykatat më të larta kombëtare dhe evropiane, të cilat ushtrojnë ndikim të konsiderueshëm mbi praktikën gjyqësore të gjykatave më të ulëta, veçanërisht në çështjet që lidhen me përdorimin e provave të siguruara nga platformat e komunikimit të enkriptuar. Vendimi i parë është ai i Gjykatës Federale të Drejtësisë (Bundesgerichtshof – BGH) nr. 5 StR 457/21, datë 2 mars 2022, i cili konsiderohet si një vendim udhërrëfyes (“leading case”) për gjykatat më të ulëta, në çështjet që lidhen me përdorimin e të dhënave të marra përmes platformave të enkriptuara si EncroChat.
Vendimi i dytë është ai i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (“GJDBE”), me nr. çështje C-670/22, i datës 30 prill 2024, i cili ofron interpretimin përfundimtar të Direktivës 2014/41/BE. Vendimi i tretë, është ai i Gjykatës Kushtetuese Federale (Bundesverfassungsgericht) nr. 2 BvR 684/22, datë 1 nëntor 2024, i cili trajton aspektet kushtetuese të ligjshmërisë së provave të siguruara nga bashkëpun