Mendimtarët liberalë janë të tronditur, sepse kombet po izolojnë sërish veten nga bota. Befasia e vërtetë do të ishte nëse nuk do ta bënin këtë.
Planetin po e përfshin një valë e fuqishme e dëshirës për më shumë vetëmjaftueshmëri. Donald Trump ka shpallur “pavarësinë ekonomike” të Shteteve të Bashkuara dhe duket se po përpiqet ta shkëpusë ShBA-në nga sistemi global tregtar të cilin vendi i tij e kishte ndërtuar me aq mund që nga Lufta e Dytë Botërore – një sistem që ka sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për kombet në mbarë botën.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, prej shumë vitesh ka qenë mbështetës i zili gengshengut për Kinën, që përkthehet si “vetëmbështetje.” Në ndjekje të kësaj, Pekini ka qenë duke dekurajuar importet dhe duke u përpjekur të forcojë prodhimin vendas të çdo gjëje – nga ushqimi te çipat kompjuterikë.
Edhe të tjerët kanë ndjekur këtë rrugë. “Rusia është një vend i vetëmjaftueshëm në çdo kuptim të fjalës,” u mburr Vladimir Putini vitin e kaluar, duke hedhur poshtë ndikimin e ortekut të sanksioneve tregtare perëndimore që mbuluan vendin në vitin 2022 dhe që donin ta shndërronin atë në një të lëçitur ekonomik.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka adoptuar sloganin atmanirbhar bharat, ose “Indi e vetëmjaftueshme”, për atë që është tashmë vendi më i populluar në botë. Edhe Bashkimi Evropian, tradicionalisht i orientuar nga jashtë, ka nisur të eksplorojë se si blloku mund të arrijë më shumë autonomi ekonomike në fushat që variojnë nga energjia te mbrojtja.
Lavdërimi i vetëmjaftueshmërisë dhe ulja e vlerës së lidhjeve tregtare përbëjnë një shkëputje të thellë nga ortodoksia e globalizimit – ideja se lidhjet gjithnjë e më të ngushta midis kombeve, përmes tregtisë, do të forconin sigurinë dhe mirëqenien për të gjithë.
Megjithatë, edhe pse mund të duket si një shmangie shumë moderne, ky impuls për t’u kthyer kah vetja – dhe që kombet të shkulin prangat e ndërlidhjes dhe varësisë – nuk është i ri. Në fakt, është i lashtë.
Përgjatë shumë shekujve, është një impuls që është ndier po aq thellë në nivel individual sa edhe në nivel komuniteti. Në të vërtetë, njohja se si këto dy nivele ndërveprojnë dhe e forcojnë njëra-tjetrën, mund të jetë thelbësore për të kuptuar joshjen e vazhdueshme të kësaj mënyre të të menduarit – dhe për të pasur një ndjesi se ku mund të na çojë ajo, qoftë si individë, si shtete kombëtare apo si komunitet global.
Filozofi cinik i shekullit IV para erës sonë, Diogjeni, jetonte në një fuçi në tregun e Korintit dhe thuhet se lehte si qen ndaj njerëzve – për të treguar përbuzjen e tij për normat shoqërore. Kur Aleksandri i Madh e vizitoi Diogjenin, pushtuesi i botëve i kërkoi asketit të veshur me rrecka, i cili në atë çast po shijonte një gjumë të pasdites, të tregonte çfarë dëshironte – nënkuptimi ishte se mund të kërkonte atë që do: pasuri, para, pushtet, status, seks?
Përgjigjja, sipas tregimit, ishte se Diogjeni kërkoi këtë: “Largohu pak nga dielli im.” Është e diskutueshme nëse kjo përballje mes mbretit dhe cinikut (nga greqishtja kynikos, ose “si qen”) ka ndodhur me të vërtetë. Por, nuk ka dyshime për fuqinë e tregimit dhe idenë që përmban.
Rrëfimi i mospërfilljes së Diogjenit ndaj sundimtarit më të fuqishëm të botës antike, është përhapur prej pothuajse dy mijë vjetësh si ndoshta shembulli më i lartë i dëshirës për vetëmjaftueshmëri.
Vetëmjaftueshmëria, apo autarkia – nga greqishtja auto (“vetë”) dhe arkeo (“mjaftoj”) – është parë që në fillim si një shfaqje e virtytit personal moral. Të mbështetesh te të tjerët do të thoshte të komprometosh aftësinë për të ndjekur urtësinë.
Dhe, nëse vetëmjaftueshmëria nënkuptonte të strehoheshe në një fuçi, të lehje si qen dhe të rrezikoje të ofendoje një mbret të fuqishëm, atëherë punë e madhe. Por, që nga ato ditët më të hershme të qytetërimit perëndimor, virtyti moral i autarkisë nuk ishte vetëm një qëllim për individin, por edhe një aspiratë për kolektivin.
Sipas Aristotelit, bashkëkohës i Diogjenit, qytet-shteti ideal në botën e lashtë ishte gjithashtu i vetëmjaftueshëm dhe ata brenda polisit do të kishin gjithçka që u nevojitej për të ndjekur një jetë të mirë filozofike – ndryshe nga ata që ishin jashtë tij.
“Termin vetëmjaftueshmëri,” siç e shprehu Aristoteli, “e përdorim jo si referencë vetëm për veten, duke jetuar një jetë të izoluar, por edhe për prindërit dhe fëmijët dhe gruan, dhe miqtë dhe bashkëqytetarët në përgjithësi, pasi njeriu për nga natyra është një kafshë politike.”
Kjo lidhje aristoteliane midis vetëmjaftueshmërisë individuale dhe asaj kolektive – personale dhe politike – vazhdoi edhe në epokën e krishterë.
Thoma Akuini, një dijetar me shtat të fuqishëm, i lindur në Mbretërinë e Sicilisë në vitin 1225, la aq pak përshtypje te shokët e tij të Universitetit të Parisit, saqë ata i vunë nofkën “demi memec.” Por, demi memec bëri më shumë se ndoshta kushdo tjetër për të ndërtuar bazat filozofike të fesë katolike.
Duke u mbështetur te Aristoteli, Akuini foli për “vetëmja