GENC POLLO
Imagjinat e shqiptarëve për konfliktin e armatosur midis Izraelit dhe Iranit janë shumë të ndryshme. Një koncept i rëndësishëm në këtë debat është ai i Izraelit si demokraci, ku pushteti është kufizuar dhe është përgjegjës para popullit dhe zgjedhurve të tij. Sipas këtij koncepti, Irani është një teokraci ku lideri suprem dhe kasta rreth tij sundojnë plotësisht mbi shtetasit dhe i keqtrajtojnë sistematikisht. Këtë arsye, Shqipëria duhet të jetë në krahun e Izraelit. Megjithatë, pozicioni i Shqipërisë në këtë konflikt është i pazgjidhur.
Shqipëria u pozicionua në favor të Izraelit duke përsëritur formulën e BE të ditës së sulmit izraelit (e premte, 13.06) se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, se Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes dhe se preferohet një zgjidhje përmes diplomacisë. Por ky prononcim i përfaqësuesve qeveritarë erdhi me shumë vonesë: ditën e katërt nga fillimi i konfliktit dhe mbasi u prononcua opozita, si dhe qeveritë në rajon. Motivet për përkrahjen e Izraelit janë shumë të ndryshme. Shumica e demokracive janë në krahun e Izraelit, por ka edhe përjashtime. Regjimet autoritare e satrapike janë në përgjithësi me Iranin, por jo pa përjashtime.
Interesi shtetëror në këtë çështje është në radhë të parë ai i sigurisë. Që me ardhjen në fuqi të Ajatollah Komenit, Irani deklaron gati përditë se synon të asgjësojë Izraelin. Pasi të mbarojë punë me Shejtanin e Vogël, siç e quajnë Izraelin udhëheqësit e ajatullahëve, thonë se do të merren me Shejtanin e Madh, ose Amerikën. Për Europën nuk flasin hapur me këtë gjuhë, por kuptohet se e konsiderojnë një shejtan të mesëm. Për shqiptarët, lideri suprem Khamenei tha para 5 vitesh se janë një popull i mbrapshtë. Ky regjim prej 30 vitesh synon të prodhojë bombën bërthamore.
Nëse nuk i asgjëson, atëherë i kërcënon e shantazhon. Për këtë i nevojitet bomba bërthamore. Prej njëzet vjetësh bashkësia ndërkombëtare, të tërë pa përjashtim, Europa, Amerika, madje edhe Rusia, Kina në këtë rast tentojnë që ta pengojnë armatosjen bërthamore të Iranit. Herë me sanksione, herë me marrëveshje e kontrolle, e herë duke e ryshfetuar me miliarda dollarë. Dhe kanë dështuar gjithmonë. Amerika, Europa, Izraeli dhe së fundmi Agjencia Atomike e OKB thonë se Teherani është çerek hapi larg prodhimit të bombës. Maksimumi dy javë i duhen. Raketat për ta lëshuar bombën atomike drejt Tel-Avivit apo Europës i ka bë gati me kohë.
Duke eliminuar përveç komandantëve të gardës së ajatollahëve, edhe teknikët bërthamorë terroristë, si dhe centrifugat ku prodhohet bomba atomike. Izraeli po heq këtë sëpatë varur mbi kokën e popullit izraelit në radhë të parë. Por edhe të popujve në Lindjen e Mesme dhe Europë. Siç u shpreh sot kancelari gjerman: “Izraeli po bën ‘punën e pisët’ për të mirën tonë kolektive”. Ky sulm ka edhe risqe. Ajatullahët mund të mbyllin Ngushticën e Hormuzit e të bllokojnë 25% të furnizimit botëror me naftë; apo të nxisin terrorizmin në Europë. Çfarëdo që të tentojnë ata, alternativa ndaj mosveprimit është Teherani me pultin e bombës atomike në dorë. Nuk është thjesht alternativa më e keqe, por një makth ekzistencial.
Respekti për ligjin ndërkombëtar është një tjetër kriter për të gjetur se në cilin krah qëndron e drejta në këtë konflikt. Irani ka shkelur vazhdimisht Traktatin e Mospërhapjes së armëve bërthamore, ku është palë që nga viti 1970. Së fundmi, ishte Agjencia Atomike e OKB (IAEA) që konkludoi se programi bërthamor iranian nuk është për qëllime civile.