Tashmë tetë ditë, Arbnor Spahiu, një ish-zyrtar policor i NJSO-së, ndodhet në paraburgim në burgun e Suboticës në Serbi. Ai akuzohet për përfshirje në rastin Banjska.
Bashkëshortja e Arbnor Spahiut, Arieta, ka thënë se kanë pasë një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Ajo thotë se i ka kërkuar të mos politizohet rasti dhe të ndalojë çdo ndikim politik në proceset gjyqësore.
“Ne kemi diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe për nevojën që të gjitha institucionet të veprojnë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës”, tha Arieta. “Theksova rëndësinë e transparencës dhe të shmangies së çdo ndikimi politik në proceset gjyqësore, përfshirë edhe rastin e bashkëshortit tim”.
Arbnor Spahiu në një intervistë me shkrim për Tëvë1, ka thënë se janë të shqetësuar si familje, me mënyrën e trajtimit të rastit nga autoritetet serbe. “Deri më tani, ajo që dimë është se ai ndodhet në paraburgim. Avokatët janë duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe presim që drejtësia të veprojë me profesionalizëm dhe pa anshmëri”, tha ai.
Bashkëshortja e Arbnor Spahiut ka deklaruar se duhet të merren me rezerva dhe profesionalizëm deklaratat e çfarëdo personi dhe të jetë proces i drejtë i gjykimit. “Këto janë pyetje serioze që kërkojnë përgjigje të qarta nga institucionet përkatëse”, tha ajo.
Ndërkohë, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se kanë dorëzuar dokumente te autoritetet serbe për Arbnor Spahiun, që i njëjti nuk ka qenë pjesë e operacionit në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023. Sipas Policisë së Kosovës, i njëjti nuk është pjesë e tyre nga viti 2022.